Turizmi ne Permet
Zona e Permetit shtrihet ne jug te Shqiperise dhe eshte nje zone e lakmueshme nga vizitore te huaj dhe vendas,si per pozicionin gjeografik ashtu dhe per bukurite e shumta qe ka duke permendur :Vargmali Nemercke-Dhembel-Trebeshine,Gryka e Kelcyres etj.
Duke mos u larguar nga Gryka e Këlcyrës, përmendim këtu Burimin e pashtershëm nëntokesor Uji i Zi i cili ruan kaltërsine dhe kthjelltësinë në të gjitha stinët e vitit, peisazhe të pafundme panorameske, rrënojat e Sarajeve të Ali Bej Këlcyrës, të vecanta nga forma dhe ana arkitektonike, Urën e gurtë të Limarit e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, pasarelat e stilit te vjetër që mundësojnë kalimin e banorëve mbi lumin Vjosa.
Kur mbërrin në Përmet,menjëherë përballesh me një qytet të vogël, nga shtrirja gjeografike, por i madh nga vlerat e shumta të tij historike, kulturore e natyrore. Në këtë qytet, cdo turist vendas apo i huaj ka mundësinë të frekuentojë shumë vende të bukura të kësaj zone si brenda në qytet
ashtu dhe jashtë tij.Disa nga vëndet më të bukura dhe spikatura që mund të përmendim
janë :
Bredhi i Hotovës është park kombëtar, ndodhet në jug të Shqipërisë pak kilometra nga qyteti i Përmetit. Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndëshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij. Ndodhet në verilindje të qyteti të Përmetit 25 km larg tij. Ka një biodiversitet të pasur me rreth 20 lloje dru pyjorë ku mbizotërojnë bredhi, lisi, pisha e zezë, bliri dhe disa shkurre si: dëllinja, lajthia etj. Fauna është e pasur me disa lloje kafshësh dhe shpendësh të egra si: ariu,sorkadhja, macja e egër, derri i egër, ketri,thëllëza, qukapiku etj. Ky park nga vlerat e tij ekologjike dhe ekoturistike është cilësuar si “Mushkëria e Ballkanit”.
Ujërat termale të Bënjës që gjenden 14 km larg nga qyteti i Përmetit, është një tjetër monument natyror ku mbizotërojnë pesë burime nëntokësore ujore me bazë sulfurore, të cilat janë cilësuar si burime me vlera kuruese për sëmundje të ndryshme, (sëmundjet e zemrës, veshkave,stomakut, romatizmat, sëmundje dermatplogjike). Një panoramë e mrekullueshme ku gërshetohen me njëra – tjetrën kanionet e Lengaricës me bukurinë e tyre, lumi i Lengaricës, Ura e Katiut prej guri me një hark të madh e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Ura e Dashit, Ura e Babos e vogël por shumë e cuditshme nga forma arkitektonike. Të gjitha këto janë një mrekulli për tu vizituar nga afër.
Në zonën e Përmetit pikasin në mënyrë të vecantë fshatrat karakteristike me shtëpi dhe sokaqe prej guri, të cilët i japin një tjetër vlerë turistike kësaj zone (fshatrat Kosovë, Ogdunan, Bënjë, Lipë e vjetër…)
Një tjetër karakteristike e vecantë e kësaj zonë janë dhe Kishat shumë vjecare të pozicionuara sidomos në fshatra si: Kisha e Shën Marisë fshati Leusë, Kisha e Shën Marisë fshati Bënjë, Kisha Shën Marisë fshati Kosinë,Kisha Shën Ilia e fshatit Bual, Kisha e Shën Marisë fshati Perat, etj.
Duke parë dhe vizituar këto vënde të mrekullueshme me vlera historike, kulturore, e natyrore të zonës së Përmetit, turistet apo miqtë e tjerë të qytetit kanë mundësinë të shikojnë nga afër, Gurin e qytetit i cili është një monumet natyroro – historik (sipas legjendës ky gur i ka dhënë emrin Përmetit), Kisha e Shën Premtes dhe Shën Kollës, Xhaminë islamike dhe Teqenë e bektashinjve, të cilat respektojnë njëra - tjetrën në mënyrë harmonike.
E vecanta e kësaj treve është ofrimi i mundësive në aplikimin e disa sporteve zbavitëse. Duke parë pozicionin gjeografik të rrethit të Përmetit, në disa zona si ajo e Malëshovës, Ballabanit, Shqerisë e Cerjes, është shumë e pershtatshme dhe famoze për të apasionuarit e gjahut ndaj kafshëve të egra si: derri i egër, lepuri i egër, thëllëza, shapërtore, etj. Një tjetër mundësi që ofron lumi Vjosa është për të apasionuarit e sportit të peshkimit si për profesionistët ashtu dhe për amatorët. Gjithashtu ky lumë të jep mundësinë e zhvillimit të sporteve të kanotazhit dhe rafting.
Miqtë apo turistat e zonës së Përmetit duke soditur të gjitha vëndet e vecanta turistike, do të njihen me mikpritjen përmetare, me njerëz të qetë, të urtë, punëtorë dhe të respektuar. Të shkruash për trevën e Përmetit, natyrshëm do të flasësh për shërbimet, ushqimin tradicional, dhe prodhimet tipike të tij.
Vera dhe rakia e prodhuesve përmetare zënë një vend të vecantë në baret e rastorantet e zonës. Cilësia e tyre shumë e mirë favorizohet nga klima e vendit dhe varietetet e rrushit autokton si Merlot, Debinë, Muskat etj, por dhe nga mënyra e përpunimit dhe e prodhimit nga kantinat
si: Atos, Bualioti, Bejko e Iljarë. Prodhimet e tyre konkurojnë dhe kanë emër në qytetet më kryesore të Shqipërisë.